Kina dërgon trupa në Xhibuti. Baza e parë “e huaj”?

13/07/2017 00:00

Kina nisi forcat e saj ushtarake drejt Xhibutit, para se të shpallë formalisht hapjen e bazës së saj të parë ushtarake jashtë vendit.

Dy anije luftarake kineze u nisën nga porti i Zhanjiangut, me një numër të papërcaktuar ushtarësh në bord, të cilat do të kalojnë oqeanin Indian në rrugën drejt shtetit të vogël afrikan.

Mediet kineze nxituan të theksojnë rëndësinë e bazës ushtarake në Xhibuti, i cili gjendet në një pozicion mjaft strategjik në bririn e Afrikës. Sipas shtypit kinez, baza do të shërbejë si një pikë mbështetjeje, që Marina e vendit të shkojë gjithnjë e më larg.

Megjithatë, gazeta “Global Times”, zëri i Partisë Komuniste kineze, shkruan se bëhet fjalë për operacione antipirateri dhe humanitare, pasi Pekini nuk ka qëllime të kontrollojë botën. Në Xhibuti kanë baza ushtarake edhe vende të tjera, si SHBA apo Franca, për shkak se vendi i vogël afrikan vlerësohet mjaft, jo vetëm për pozicionin strategjik, por edhe për faktin se është një vend i stabilizuar në një rajon mjaft të trazuar.

Promovimi i paqes në këtë rajon është edhe një nga arsyet publike të Kinës për të dërguar trupat ushtarake në një bazë të përhershme në Xhibuti. Ndërsa për Xhibutin situata është shumë e ndryshme, e qëllimi i vetëm është pasurimi i vendit, që po rezulton mjaft i lehtë nga dhënia me qira e territoreve në shkretëtirë fuqive të mëdha.

Top Channel