Biznesi, “prapa botës”. Kompjuterët përdoren nga më pak se një e treta

13/07/2017 00:00

Edhe pse shumica e ndërmarrjeve ekonomike në Shqipëri janë të pajisura me kompjuter, numri i punonjësve që e përdorin atë është i ulët.

Një vrojtim i Institutit të Statistikave, i kryer në ndërmarrje me mbi 10 të punësuar, tregon se më shumë se 95% e tyre janë të pajisur me kompjuter për qëllime pune. Por, punonjësit që e përdorin përbëjnë vetëm 28%.

Në një masë më të madhe, kompjuterat janë përdorur nga punonjësit e ndërmarrjeve që kanë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit, me 71.1%, pasuar nga shërbimet administrative dhe mbështetëse me 64.6%, si dhe punonjësit në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 61.7%.

Përqindja më e ulët vërehet në aktivitetin e industrisë përpunuese, me 8.6%, dhe në aktivitetin e ndërtimit, me 16.8%.

Ndërkohë, përqindja e ndërmarrjeve që kanë qasje në internet vazhdon të rritet. Sipas INSTAT-it, 96.8% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuterin kanë qasje në internet, përqindje kjo pak më e ulët krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së, 97%.

Top Channel