
Novak Djokoviç vazhdon të shfaqet në një formë të mirë në turnen “Wimbledon”. Tenisti serb u kualifikua për në çerekfinalet e këtij kompeticioni, pasi mposhti francezin Mannarino me rezultatin 3-0. Djokoviç iu deshën 2 orë e 15 minuta lojë për të fituar këtë sfidë, setet e së cilës i mbylli 6-2, 7-6 dhe 6-4.
Në kampin e femrave janë përcaktuar tenistet gjysmëfinaliste. Johanna Konta bëhet e para teniste britanike që arrin në këtë fazë të “Wimbledon”-it në 4 dekada, e këtë e arriti pasi mundi Simona Halep 2-1 me sete 6-7, 7-6 dhe 6-4 në ndeshjen e zhvilluar në fushën qendrore.
Një vend mes 4 më të mirave të “Wimbledon”-it siguroi edhe Garbine Muguruza, që fitoi ndaj Svetlana Kuznetsovës me rezultatin 2-0. Tenistja spanjolle, që në raundin e mëparshëm eliminoi numrin 1 të botës, Kerber, ishte superiore ndaj ruses, duke i fituar setet e përballjes me të 6-3 dhe 6-4, në 1 orë e 15 minuta lojë.
Biletën për në gjysmëfinalet e “Wimbledon”-it e preu edhe Venus Williams, që mposhti kampionen e “Roland Garros”, Jelena Ostapenko, me rezultatin 2-0. Tenistja 37-vjeçare i mbylli setet me 20-vjeçaren letoneze 6-3 dhe 7-5, në 1 orë e 13 minuta lojë.
Ndërkohë vijon përralla e Rybarikovës në “Wimbledon”. Tenistja sllovake mundi amerikanen Vandeëeghe 2-0, për të siguruar gjysmëfinalen e saj të parë në karrierë në një turne “Grand Slam”. Rezultati i seteve të fituara nga Rybarikova ishte 6-3 dhe 6-3, në një ndeshje që u shty për shkak të reshjeve të shiut.
Top Channel