
Samiti i Triestes për vendet e Ballkanit Perëndimor, vazhdimësi e samiteve të mëparshme, sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, pritet të konkretizojë dy nisma të rëndësishme.
“Fillimisht Traktatin e Transportit, i cili vjen pas Traktatit të Energjisë dhe pas disa sipërmarrjeve të vet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë plotëson të gjithë mozaikun e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, duke përgatitur vendet tona për procesin e vështirë dhe sfidues të anëtarësimit në BE. Po kështu, përpjekja për krijimin e zonës rajonale ekonomike është një përpjekje për të stimuluar më tej bashkëpunimin në fushën tregtare, në fushën ekonomike ndërmjet vet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të përballuar së bashku sfidat ekonomike që vijnë nga procesi i anëtarësimit në BE”, tha Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme.
Të dyja këto nisma, sipas shefit të diplomacisë shqiptare do ta afrojnë më shumë vendin tonë drejt BE-së.
“Vet thelbi i ‘Procesit të Berlinit’ është për të nxitur më tej bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të përshpejtuar kësisoj perspektivën e anëtarësimit në familjen europiane. Nuk ka diskutim që në të shkuarën ka pasur diferenca të mëdha, në mënyrën sesi vende të ndryshme kanë qenë të përfaqësuara. Do të ketë disa seli dhe disa nisma. Është krejt normale që të ketë një shpërndarje gjeografike sa më të balancuar, ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha më tej Bushati.
Tashmë, sipas qeverisë shqiptare është koha e zbatimit konkret e projekteve të hedhura në letër, përpara samitit të ardhshëm, që sipas propozimeve do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.
“Për ne, interes parësor duhet të përbëjë ecuria e zbatimit të projekteve, për të cilat ne kemi rënë dakord në letër. E kam fjalën për projektet e ndërlidhshmërisë në fushën e infrastrukturës, që do ta bënin rajonin tonë një rajon në kuptimin e vërtetë të fjalës, për projektet në fushën energjetike, për linjat e transmisionit, për autostradat energjetike dhe për transportin hekurudhor. Natyrisht, duhet të vazhdojmë me një ritëm edhe më të shpejtë bashkëpunimi politik edhe për çështje që kanë lidhje me lëvizshmërinë e njerëzve në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Bushati.
Top Channel