Lushnje, digjet një sipërfaqe prej 30 hektarësh

12/07/2017 00:00

Mbi 30 hektarë sipërfaqe në Kodrat e Kosovës së Vogël dhe Çifligut në rrethin e Lushnjes janë përfshirë nga zjarri mbrëmjen e së martës.

Ka qenë e pamundur nga ana e zjarrfikësve të ndërhyjnë për të izoluar vatrën e zjarrit, pasi terreni ka qenë tepër i thyer dhe i lartë dhe nuk ka mundësuar lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse.

Pas kësaj situate, vetë banorët e zonës, së bashku me efektivët e zjarrfikësve, kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të shuar flakët, ndërkohë që ende vijon të digjet një pjesë e mirë e kodrave të kultivuara me ullinj dhe dru frutore të dëmtuar totalisht.

Sipas përllogaritjeve, janë rreth 7 mijë dru frutore të djegura. Faktor ndihmës i flakëve ka qenë dhe era, që ka ndihmuar në përhapjen e vatrave të zjarrit dhe ka qenë e pamundur që forcat zjarrfikëse të ndërhyjnë.

Top Channel