Ish-presidenti brazilian dënohet me 9 vite e gjysmë burg

12/07/2017 00:00

Ish-presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva u dënua me nëntë vite e gjysmë burg, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

Por ai do të lihet i lirë gjatë procesit të apelit. Ish-presidenti akuzohet se ka marrë në formën e një ryshfeti një apartament në bregdet nga kompania ndërtimore “OAS”. Lula Da Silva mohon me forcë akuzat dhe këmbëngul se procesi kundër tij është i motivuar politikisht. Rasti është pjesë e një hetimi të gjerë për korrupsion ku është e përfshirë kompania shtetërore e naftës Petrobras, që ka turbulluar politikën braziliane dhe ka rezultuar me arrestimin e një shumë krerëve të bizneseve e politikanëve të lartë.

Gjykatësi federal Sergio Moro tha se nuk urdhëroi arrestimin e  menjëhershëm të Silvas sepse dënimi i një ish presidenti përbënte një çështje shumë serioze dhe fillimisht çështja duhet të trajtohej edhe nga një Gjykatë Apeli.

Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ka qenë president mes viteve 2003 dhe 2010, udhëheq sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Çështja do të shqyrtohet nga një grup gjyqtarësh dhe nëse ata e mbështesin dënimin, sipas ligjit brazilian Silva nuk do të lejohet të kandidojë për postin e presidentit.

Top Channel