Prova e parë e ndërhyrjes ruse. Trump Jr. publikon “e-mail”-et

11/07/2017 00:00

Djali i presidentit amerikan, Donald Trump, ka publikuar disa “e-mail”-e që dëshmojnë se atij i ishin ofruar informacione të ndjeshme për Hillary Clintonin nga një shtetas rus.

Publicisti Rob Goldstone, ish-partner biznesi i manjatit të pasurive të paluajtshme në Rusi, i thotë Donald Trump Junior se eksiztonin informacione të siguruara nga Rusia, që do t’i vinin në ndihmë babait të tij gjatë fushatës për presidencialet e muajit nëntor. Në të kaluarën, Goldstone ka mohuar të ishte në dijeni të përfshirjes së qeverisë ruse në zgjedhje.

Presidenti Trump reagoi përmes një deklarate të shkurtër në mbështetje të djalit të tij, duke e përshkruar atë si një person me cilësi të jashtëzakonshme, e duke e përgëzuar për transparencën.

“E-mail”-et që Trump Jr. i publikoi në rrjetin social “Twitter” thonë se, kryeprokurori i Rusisë ishte ofruar t’i jepte ekipit të fushatës së Trumpit disa dokumente e informacione zyrtare, që do të inkriminonin atëherë kandidaten Hillary Clinton.

“Emin më tha që të të kontaktoja. Prokurori i Përgjithshëm rus u takua me babain e tij dhe në atë takim premtoi t’i sigurojë fushatës së Trumpit informacione të ndjeshme për Hillary Clinton. Ato do ta zhysnin në telashe e do të demaskonin lidhjet e saj me Rusinë. Për babain tënd do të ishin shumë të dobishme”, shkruan Goldstone.

“Nëse është vërtet siç thua, do të ishte fantastike”, ka qenë përgjigjja e djalit të presidentit. Disa ditë më parë, Trump Jr. pranoi se ishte takuar me avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya, më 9 qershor të vitit 2016, pasi i ishte thënë se ajo kishte materiale kompromentuese për Clintonin. Megjithatë, ai këmbëngul se avokatja nuk i kishte ofruar informacione të rëndësishme, e se donte të fliste për sanksionet kundër individëve rusë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel