Observatori sirian: Al-Baghdadi ka vdekur; SHBA ende s’e konfirmon

11/07/2017 00:00

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar këtë të martë se tashmë është një informacion i konfirmuar, fakti që udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë.

Raporti vjen pak ditë pasi ushtria irakiani rimori nën kontroll sektorët e fundit të qytetit verior të Irakut, Mosul, të cilin forcat e Baghdadit e pushtuan thuajse 3 vite më parë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në qershor se mund të ketë vrarë Baghdadin kur një prej sulmeve ajrore të saj goditi një mbledhje të komandantëve të Shtetit Islamik në periferitë e qytetit sirian, Raqqa. Por Uashingtoni informoi se nuk mund ta vërtetonte vdekjen, ndërsa edhe zyrtarët irakianë e ata perëndimorë kanë qenë skeptikë.

“Ne kemi konfirmuar informacionin prej udhëheqësve të ndryshëm, njëri prej të cilëve sirian i rangjeve të larta të Shtetit Islamik, në periferinë lindore të Deir al-Zor”, tha Rami Abdulrahman, drejtor i grupit monitorues të luftës civile në Siri, me seli në Londër.

Në Irak, koloneli i ushtrisë amerikane, Ryan Dillon, zëdhënës për koalicionin e udhëhequr prej SHBA-ve në luftën kundër Shtetit Islamik, tha se nuk mundet ta konfirmojë lajmin.
 
Abdulrahman tha se aktivistët që punojnë për grupin e monitorimit në Deir al-Zor iu është thënë nga burime të Shtetit Islamik se Baghdadi ka vdekur, por nuk dihet se kur apo si ndërroi jetë. Burimet thonë se Baghdadi ka qenë i pranishëm në periferinë lindore të provincës siriane, Deir al-Zor, përgjatë 3 muajve të fundit.

Pentagoni bëri të ditur se nuk ka informacione të mjaftueshme për të vërtetuar raportimet. Zyrtarët kurdë dhe irakianë thanë gjithashtu se nuk kanë informacione të besueshme për konfirmimin e tij.

Vdekja e Baghdadit është shpallur disa herë në të kaluarën, por Observatori sirian ka pasur deri më sot një rekord të besueshëm raportimi mbi konfliktin sirian. Faqet e lidhura me Shtetin Islamik, apo rrjetet sociale ende nuk kanë njoftuar asgjë mbi këtë lajm.

Megjithatë, vdekja e kreut të xhihadistëve, që deklaroi kalifatin e qeverisur nën ligjin islamik nga një xhami në Mosul në vitin 2014, do të ishte një prej goditjeve më të forta deri më sot për ekstremistët, që po përpiqen të mbrohen dhe të mbrojnë sa të munden territoret e rrudhura dita-ditës në Siri dhe Irak.

Top Channel