Kërcënimi rus, Moska do të dëbojë diplomatët amerikanë

11/07/2017 00:00

Rusia është gati të dëbojë rreth 30 diplomatë amerikanë e të sekuestrojë pronat e Shteteve të Bashkuara në formë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të Uashingtonit.

Kërcënimi vjen nga burime të Ministrisë së Jashtme ruse, të cituara nga e përditeshmja “Izvestia”. Deklarata të ngjashme kanë bërë kohët e fundit edhe zyrtarë të tjerë të lartë në Moskë.

Në muajin dhjetor, administrata Obama përzuri 35 diplomatë rusë dhe mbylli dy komplekse inteligjence, lëvizje këto të nxitura nga ndërhyrja e supozuar e Rusisë në presidencialet amerikane të 2016-s.

Masat e Obamës erdhën pasi drejtues të shërbimeve të kundërzbulimit i akuzuan agjentët shtetërorë rusë për hakerimin e kompjuterave të Partisë Demokratike me qëllim minimin e fushatës së Hillary Clinton.

Çështjen e sanksioneve të presidentit të më mëparshëm amerikan, shefi i Kremlinit Vladimir Putin e ngriti edhe gjatë takimit me Donald Trump në Hamburg më 7 korrik.

Trump tani gjendet mes dy zjarresh: nëse i kthen rusëve mbrapsht komplekset diplomatike do të çimentojë në sytë e kundërshtarëve imazhin e tij si “lake” i Kremlinit.

E çdo lëshim ndaj Moskës në këto momente do të ishte tejet i diskutueshëm, duke pasur parasysh hetimet aktuale mbi lidhjet e njerëzve të Trump me Rusinë.

Por nëse nuk ia rijep kësaj të fundit godinat e veta, dhjetëra diplomatë amerikanë në Rusi mund të dëbohen e disa ndërtesa diplomatike amerikane të konfiskohen, e kjo do ta vështirësonte së tepërmi atë që miliarderi republikan shpreson shume të arrijë: marrëdhënie më të mira me Moskën.

Top Channel