FRESSH, Luan Ramës: Kampingu i Jalës, edhe me pjesëmarrjen tonë

11/07/2017 00:00

Pas deklaratës së nënkryetarit të LSI-së, Luan Rama, ka ardhur reagimi i Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë, që shpreh keqardhjen për mënyrën sesi strukturat e LSI-së, siç shprehen të rinjtë e PS-së, po keqinformojnë dhe manipulojnë opinionin publik në lidhje me kampin e organizuar nga Internacionalja Socialiste e të Rinjve (IUSY) në Jalë.

“I lutemi Kryesisë së LSI-së të distancohet nga këto mënyra të politikbërjes dhe t’i lejojë të rinjtë të jenë pjesë dhe model i një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruhet në deklaratën e të rinjve socialistë.

Sipas asaj që shpjegon FRESSH, festivali dhe aktivitetet e tij organizohen dhe mbështeten në mënyrë të barabartë nga të dyja forumet, në bazë të marrëveshjes së përbashkët që FRESSH dhe LRI kanë nënshkruar me IUSY-në. Në Jalë, në datat nga 14 deri 21 korrik do të mirëpriten 400 të rinj nga e gjithë bota, gjë që është konfirmuar me praninë e tyre nga presidenti i Internacionales, Howard Lee, si dhe sekretari i Përgjithshëm, Alessandro Pirisi.

FRESSH, në deklaratën e saj gjen rastin të falënderojë të rinjtë e LRI-së për përkushtimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në mbarëvajtjen e këtij festivali, me rëndësi për të rinjtë shqiptarë. Grupet e të rinjve të dy forcave kryesore të së majtës bëhen bashkë në këtë aktivitet për të treguar vlerat më të mira të shqiptarëve.

Në deklaratën e mëhershme, Luan Rama ishte shprehur për kampingun e Jalës si një organizim mes IUSY-t dhe LRI-së, pa përmendur FRESSH-in.

Top Channel