Forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë po punojnë për shuarjen e zjarrit që ka rënë gjatë orëve të para të së martës në një sipërfaqe me pyll ahu në Bulqizë.

Terreni është i vështirë dhe për këtë arsye për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe një helikopter. Ndërkohë vatrat e tjera të zjarrit në të gjithë vendin janë shuar.

Gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 12 të tilla në Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Tiranë, Korçë, Fier dhe Dibra që është ende aktive.

Në operacionin për shuarjen e flakeve u angazhuan 115 zjarrfikës me 13 automjete, 50 forca ushtarake, 79 vullnetarë si dhe helikopterë.

Emergjencat Civile po mbajnë situatën në monitorim të vazhdueshëm pasi rreziku si pasojë e temperaturave të larta që kanë pushtuar vendin është po ashtu i lartë.

Drejtoria e Emergjencave Civile u kërkon qytetarëve të njoftojnë në numrat e emergjencës 112 dhe 129 në rast se konstatojnë vatra zjarri.

Top Channel