Emergjencat e zjarreve, në gjithë vendin janë 12 vatra

11/07/2017 00:00

Një zjarr masiv u shfaq pasditen e së martës edhe në kurorën e gjelbërt mbi fshatin Goricë në Dropull.

Zjarrvënia, që dyshohet se ishte e qëllimshme, rrezikoi seriozisht disa banesa, madje dhe kishën e Shën e Premtes.

At Joani, prift i kishës, tha: “Lavdi Zotit, nuk pati dëmtime kisha”.

Në një situatë të tillë, forcat zjarrfikëse u bëjnë apel barinjve që të tregohen të kujdesshëm.

Kujtim Bizhga, i shërbimit zjarrfikës Gjirokastër, shprehet: “U bëj thirrje që edhe bishtin e cigares kur ta hedhin në tokë, ta shuajnë mirë”.

Ndërkohë rreth 150 ha shkurre dhe kullota janë djegur në fshatin Mavrovë, të bashkisë Selenicë, çka solli edhe rrezikimin e qindra rrenjë ullinjve. Zjarri është shuar por forcat e zjarrfikëse monitorojnë situatën pasi bëjnë me dije se situata në këtë periudhë është alarmante, për shkak edhe të temperaturave të larta

Ndërkohë, pyjet në Dibër vazhdojnë të digjen nga flakët. Një tjetër vatër zjarri u riaktivizua në Klos, duke rrezikuar dy banesa të braktisura, ndërsa në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar 40 forca ushtarake dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri. Më herët, një vatër e madhe zjarri shkatërroi një sipërfaqe të madhe me pemë të larta në zonën e Bulqizës. Aty, bashkë me zjarrfikësit, edhe banorët punuan për të mbajtur nën kontroll flakët.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin u shënuan 12 vatra zjarri, ndërsa në operacionet për shuarjen e flakëve u angazhuan 115 zjarrfikës me 13 automjete, 50 forca ushtarake, 79 vullnetarë si dhe helikopterë.

Top Channel