Vllahutin: Administrata të jetë gati për negociatat

10/07/2017 00:00

Reformimi i administratës publike është  një nga 5 prioritetet kyçe edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Reforma në administratë është e vështirë jo vetëm për shkak të mungesës së kapaciteteve, nepotizmit, korrupsionit apo idesë se puna në administratë është për mbështetësit e partisë. Por edhe sepse nuk investohet në njerëz dhe pagat janë më të ulta se në sektorin privat. Duhet të ndryshoni jo vetëm rregullat, por edhe mendësinë”, ka deklaruar ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vllahutin.

Vllahutin i kërkoi qeverisë së re të përshpejtojë procesin në mënyrë që, siç u shpreh ajo, çelja e negociatave ta gjejë administratën shqiptare gati.

“Është thelbësore që administrata të jetë e gatshme që nga dita e parë kur do të nisin negociatat për anëtarësim. Përshtatja dhe implementimi i legjislacionit europian do të jetë një proces mbi të cilin Shqipëria do të vlerësohet. Me rëndësi është edhe angazhimi në një dialog politik me njerëzit sepse ata kanë të drejtën të dinë dhe të thonë cfarë presin nga ata që i kanë besuar qeverisjen”, tha Vllahutin.

Ndërsa ministrja e Administratës Publike tha se deri në janar të vitit që vjen regjistrit të administratës publike, që përcakton karrierën, shkollimin dhe për çfarë janë të përshtatshëm, do t’i shtohen të gjithë punonjësit e administratës, që në total përbëjnë 90 mijë të punësuar.

Top Channel