Tepelenë, riaktivizohen vatrat e zjarrit; rrezik edhe në zona të tjera

10/07/2017 00:00

Rreziku i zjarreve vijon të mbetet i vazhdueshëm në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta.

Specialistët e Emergjencave Civile vijojnë të monitorojnë situatën nga afër në të gjithë vendin.

Qarku Gjirokastër – Vatra e zjarrit e nisur mbrëmjen e djeshme në kurorën e gjelbër të qytetit të Tepelenës është riaktivizuar sërish. Problematike rezulton lagjia “15 Shtatori”.

Përgjatë orëve të fundit ka pasur 3 vatra zjarri në pyje në qarqet Gjirokastër dhe Dibër. Emergjencat Civile kanë nisur një helikopter për shuarjen flakëve nga ajri pasi ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë.

Qarku Dibër – Në fshatin Dushaj, Bulqizë vijon zjarri në një masiv pyjor me dru ahu. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Aktualisht është duke u punuar për shuarjen e flakëve edhe pse ato favorizohen nga era.

Në fshatin Patin, Klos zjarri ka djegur një sipërfaqe prej 1 hektar me shkurre, ferra dhe pisha. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë me mjete rrethanore dhe vetëm pas disa orë punë kanë arritur të shuajnë flakët.

Emergjencat Civile bëjnë thirrje ndaj qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 ose në numrin 0694110198.

Top Channel