Në 24 orë, 15 vatra zjarri, në Tepelenë i qëllimshëm

10/07/2017 00:00

Zjarri që ra në kurorën e gjelbër të qytetit të Tepelenës, u ndal gjatë natës me ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe një helikopteri nga ajri, por pasditen e së hënës banoret e Tepelenës dhanë alarmin se zjarri është aktivizuar. Flakët ndodhen shumë pranë shtëpive të qytetit.

Pak më herët Shemsi Prençi, drejtori i Emergjencave Civile tha se zjarri duhej të shuhej plotësisht që mos rrezikohen banesat.

“Zjarri rrezikonte edhe spitalin ndaj u morën masa të menjëhershme dhe u bë çdo gjë e mundur që me ndërhyrjen nga ajri të shuhet plotësisht dhe mos ketë rrezik riaktivizimi gjatë ditës së sotme, këto operacione janë të kushtueshme”, u shpreh Shemsi Prençi, drejtor i përgjithshëm i Emergjencave Civile.

Kreu i emergjencave civile kërkon hetim, pasi zjarri nuk ka qenë i natyrshëm.

“Zjarri në orën 21:00 nuk është natyrshëm, duhet hetim nëse edhet i qëllimshëm apo nga pakujdesia pasi nuk dimë as motivet”, shton Prençi.

Ndërkohë 15 vatra zjarresh janë shfaqur gjatë 24 orëve të fundit në disa qarqe të vendit ndërsa një numër i konsiderueshëm bashkisë nuk kanë kapacitete për shuarjen e tyre.
“22 bashki si pasojë e reformës teritoriale janë pa kapacitete, në fakt janë ngritur strukturat në bazë të akteve, por pritet pajisja me motorpoma, mjete, etj”, shprehet drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 175 forca zjarrfikëse me 30 automjete, 50 forca ushtarake si dhe 24 forca vullnetare.

Top Channel