
Një tjetër zjarr trondit Londrën, edhe pse shumë larg përmasave të atij të kullës “Grenfell”. Dhjetëra zjarrfikës kanë luftuar me flakët që përfshinë tregun “Camden Lock Market”, në veri të kryeqytetit britanik, duke i vënë me shumë mundim nën kontroll, e duke vazhduar ta lagin vendin me ujë nga frika se mos ndizeshin përsëri.
Plot 10 makina zjarrfikëse u dërguan në zonë, bashkë me dy shkallë shumë të larta. Paniku ka qenë i madh, por fatmirësisht nuk ka raporte për viktima.
Zjarri shpërtheu pak pas mesnatës në strukturën që strehon me qindra aktivitete tregtare. Tregu i hapur me mbi 1.000 dyqane, tezga, “Fast Food”-e dhe ambiente argëtimi është një magnet i vërtetë për turistët dhe vizitohet çdo ditë nga shumë të tillë. Ai u hap në vitin 1974 vetëm me një rresht stendash, e sot e vizitojnë gati 28 milionë persona në vit.
Nga dëshmitë e para rezulton se, flakët kanë nisur mbi restorantin “Honest Burger”. Billy Dunmore, një student 22-vjeçar i tha “The Guardian” se, e ka parë zjarrin të dalë nga dritaret e “Honest Burger” teksa kalonte aty me miqtë e tij, ndërsa zona në atë orë ishte e shkretë. Pohimet e tij i mbështet edhe menaxheri i një klubi të ndodhur aty pranë.
Tregu i famshëm ishte goditur nga një zjarr i dhunshëm edhe shkurtin e vitit 2008. Për Londrën, ky është i dyti incident madhor i këtij lloji gjatë këtyre javëve të fundit, pas zjarrit tragjik që shkrumboi bllokun rezidencial “Grenfell”, duke marrë 80 jetë njerëzish, nga të cilët deri tani janë identifikuar vetëm 21.
Top Channel