Çlirohet Mosuli, lufta lë pas krizë humanitare

10/07/2017 00:00

Kryeministri irakian, Haider al Abadi shpalli formalisht fitoren mbi Shtetit Islamik në Mosul.

Vetë Abadi udhëtoi drejt Mosulit dhe ngriti atje flamurin irakian duke lajmëruar rrëzimin e shtetit të rremë terrorist.

Gjatë së hënës, forcat irakiane zhvilluan përleshjet e fundit me disa grupe të vogla terroristësh të mbetur në qytet duke çliruar përfundimisht Mosulin.

Beteja për këtë të fundit, zgjati 9 muaj dhe solli çlirimin e qytetit që prej qershorit të 2014s gjendej në duart e ISIS. Por tashmë ekspertët paralajmërojnë se ajo që pason duket të jetë më e vështirë se lufta.

Shumica e qytetit të Mosulit është shndërruar në rrënoja, mijëra civilë u vranë kryesisht nga shteti islamik, por edhe si pasojë e luftimeve, ndërsa thuajse 1 milion të tjerë e kanë braktisur qytetit për ti shpëtuar vdekjes. Sfidat që vijnë i përmendi edhe vetë kryeministri Abadi.

“Mosuli është i lirë dhe tani kemi një tjetër mision përpara, të krijojmë stabilitet, të rindërtojmë dhe të spastrojmë terroristët nga i gjithë Iraku”, tha Haider al-Abadi, Kryeministër i Irakut.

ISIS kontrollon ende territor në Irak dhe pavarësisht se humbja e Mosulit është një goditje tepër e fortë, lufta ende s’ka mbaruar.

Por për banorët e Mosulit dhe autoritetet lokale aty, veç garantimit të sigurisë nga sulmet terroriste, sfida e vërtetë do të nisë me rikthimin në qytet të qindra mijërave që e kanë braktisur atë.

OKB bëri me dije se vetëm në zonën historike të Mosulit, 5000 ndërtesa janë dëmtuar, ndërsa 500 janë shkatërruar plotësisht.

Sipas OKB, lufta në qytet mbase ka mbaruar, por kriza humanitare është ulur këmbëkryq. Shumica e njerëzve që ja mbathën nga luftimet, humbën gjithçka dhe kanë nevojë për strehë, ushqime, kujdes shëndetësor, ujë dhe gjithçka tjetër, pa llogaritur nivelin e traumës që ata kanë përjetuar e që sipas ekspertëve të OKB-së është i paimagjinueshëm.

Top Channel