SHBA-Britani, marrëveshje tregtare post-Brexit

08/07/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se pret që së shpejti mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe të nënshkruhet një “marrëveshje e fuqishme” tregtare.

Nga Hamburgu, ku po zhvillohet samiti i vendeve të G20-s, Trump tha gjithashtu se do të vizitojë Londrën dhe kur u pyet se kur do të ndodhë kjo, ai tha se do të caktohet së shpejti.

Në bisedimet e zhvilluara kokë më kokë, Trump dhe kryeministrja britanike Theresa May ranë dakord për t’i kushtuar vëmendje marrëveshjes tregtare post-Brexit, kanë deklaruar burime pranë qeverisë britanike.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, sipas të njëjtave burime, shprehu qartë bindjen e tij se Britania “do të lulëzojë” kur të ketë lënë Bashkimin Europian.

Në takimin 50-minutësh, dy liderët u fokusuan pikërisht në bashkëpunimin dypalësh, duke e cilësuar diskutimin mes tyre si “shumë pozitiv”. Para takimit Trump e cilësoi si “shumë të veçantë” marrëdhënien me kryeministren May.

“Ne kemi punuar për një marrëveshje tregtare që do të jetë shumë, shumë e madhe, shumë e fuqishme dhe shumë e leverdisshme për të dy vendet tona. Mendoj se do ta arrijmë këtë marrëveshje shumë, shumë shpejt”, tha Trump.

Top Channel