Ivanka zëvendëson të atin

08/07/2017 00:00

Me një lëvizje të papritur, Ivanka Trump zuri përkohësisht vendin e të atit në takimin e liderëve botërorë në Hamburg të Gjermanisë.

Presidenti amerikan ishte larguar nga takimi me liderin indonezian, i mbajtur këtë të shtunë në kuadër të samitit të G20-s.

Ivanka është këshilltare e babait të saj, por mungesa e një presidenti në raste të tilla zëvendësohet nga zyrtarë të lartë që vijnë pas tij.

Një korrespondent i BBC në samit deklaroi se një rast i tillë është i paprecedent, ndërsa në rrjetet sociale ka patur kritika të shumta.

Megjithatë, vetë presidenti Trump u kthye në tryezën e bisedimeve pak më vonë, duke u ulur mes kryeministres britanike dhe presidentit kinez.

Sidoqoftë, vajza e shefit të Shtëpisë së Bardhë nuk dha ndonjë kontribut në bisedimet që kishin në fokus krizën e emigracionit.

Një fotografi që tregonte praninë e saj u postua në Twitter nga një ndjekës rus i samitit, por që më vonë u fshi.

Megjithatë, shumë përdorues vunë në dukje se Ivanka Trump nuk është një politikane e zgjedhur, si dhe vunë në pikëpyetje kredencialet e saj, duke kujtuar se si pronare e një kompanie mode ajo nuk është e përshtatshme për një takim të tillë.

Ndërsa të tjerë ironizuan shfaqjen e saj mes liderëve më të fuqishëm të botës pas deklaratës së vetë Ivankës dhënë në një intervistë dy javë më parë, se ajo përpiqej të qëndronte jashtë politikës.

Ivanka Trump iu bashkua samitit të G20-s mëngjesin e së shtunës, në një takim mbi biznesin ku të pranishme ishin kancelarja Merkel dhe shefja e FMN-së, Christine Lagarde.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel