Itali, arrestohet luftëtari çeçen; dëbohen 2 shqiptarë

08/07/2017 00:00

Një luftëtar çeçen është ndaluar nga policia italiane në Bari. Eli Bombataliev, 38 vjeç, rezulton të jetë pjesëtar i komandës së xhihadistëve të grupit terrorist Emirati i Kaukazit.

Grupi në fjalë, më 3 dhe 4 dhjetor të vitit 2014 sulmoi “Shtëpinë e Shtypit” në Grozni, ku mbetën të vrarë 19 persona. Guerrilasi çeçen, sipas autoriteteve italiane, ka luftuar gjithashtu në radhët e Shtetit Islamik në Siri, në vitet 2014-2015.

Hetimet mbi këtë person janë kryer nga struktura të ndryshme të policisë dhe prokurorisë italiane, përfshirë ato kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Gjithësesi, të dhënat kryesore i ofruan autoritetet belge, pasi 38-vjeçari kishte hyrë në një rrjet rekrutuesish luftëtarësh të ISIS aktiv në Belgjikë.

Nga përgjimet e kryera ka rezultuar se Bombataliev përbënte një kërcënim konkret për indoktrinimin e luftëtarëve të rinj. “Nëse nesër më thërrasin për të ofruar veten time, do të më duhet ta bëj pa tjetër”, i thoshte ai bashkëshortes së tij.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë dëbuar dy vëllezër shqiptarë të lidhur me çeçenin dhe bashkëshorten ruse të këtij të fundit, Marina Kachmazova.

Të tre ata rekrutoheshin nga i arrestuari në shtëpinë e gruas ruse në Napoli, që sipas hetuesve ishte kthyer në një zyrë të vërtetë indoktrinimi.

Top Channel