Trump-Putin: Të zgjidhim problemet ndërkombëtare

07/07/2017 00:00

Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë zhvilluar këtë të premte takimin e parë të tyre kokë më kokë, në kuadër të punimeve të samitit të G20-s, në Hamburg të Gjermanisë.

Fillimisht, ata bënë prezantimin me njëri-tjetrin përpara gazetarëve, ku shprehën gatishmërinë për riparimin e lidhjeve të dëmtuara mes vendeve të tyre.

“Jam i nderuar që jam këtu me ju dhe i kënaqur që më në fund po ju njoh personalisht”, i tha Trump homologut të tij rus. Edhe shefi i Kremlinit, përmes përkthyesit të tij e vuri theksin tek rëndësia e këtij takimi.

“Gëzohem gjithashtu që ju njoh. Telefonatat janë gjithmonë të pamjaftueshme, nëse duam të zgjidhim problemet e axhendës ndërkombëtare duhet të takohemi”, tha Putin, i cili shprehu dëshirën që takimi i sotëm të prodhonte rezultate pozitive.

“Putin dhe unë kemi biseduar çështje të ndryshme dhe besoj se gjërat po shkojnë mirë”, tha nga ana tjetër Trump. Duke nënvizuar se bisedimet do të vazhdojnë, ai u shpreh se pret që “shumë gjëra pozitive të ndodhin për Rusinë, SHBA dhe këdo tjetër”.

Më pas dy liderët injoruan pyetjet që vinin nga gazetarët dhe vijuan privatisht takimin mes tyre. Duke folur pas takimit, Putin tha:

“Kam zhvilluar një bisedë shumë të gjatë me presidentin amerikan. Kishim shumë çështje për të diskutuar, përfshirë Ukrainën, Sirinë dhe probleme të tjera, përfshirë ato dypalëshe. Gjithashtu kemi folur edhe për luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë kibernetike”.

Ndërkohë, në rrugët e Hamburgut policia ka ndërmarrë një operacion të gjerë për të mbajtur nën kontroll demonstruesit, që protestonin kundër pranisë së Trump dhe Putin, si dhe kundër pabarazive.

Top Channel