Trump dhe Putin shtrëngojnë duart për herë të parë

07/07/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin janë takuar për herë të parë. Ata kanë shtrënguar duart në fillim të samitit të G20-s që mbahet në Hamburg të Gjermanisë.

Një video e shkurtër e postuar në Facebook nga qeveria gjermane tregon dy liderët që shtrëngojnë duart dhe qeshin në shoqërinë edhe të liderëve të tjerë.

Më vonë ata pritet të zhvillojnë një takim më të gjatë, në fokus të të cilit do të jetë riparimi i lidhjeve amerikano-ruse, të dëmtuara nga ndërhyrja e supozuar ruse në zgjedhjet amerikane.

Takimi është planifikuar për një orë, bëjnë të ditur mediat ruse, edhe pse të dhëna të tjera sugjerojnë se ai mund të zgjasë rreth 30 minuta.

Sipas rrjetit informativ NBC News, gjasat janë që në takim të jenë të pranishëm vetëm 4 persona të tjerë: sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson; ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov; dhe dy përkthyesit.

Ende nuk dihet nëse ata do të prononcohen për mediat, apo nëse takimi mes tyre do të zgjatet. Pas bisedave telefonike të zhvilluara mes tyre në janar dhe maj, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini shpërndanë njoftime për shtyp, por nuk dihet nëse një gjë e tillë do të përsëritet edhe këtë herë.

Vëmendja tani është përqendruar tek samiti dyditor, i parashikuar të mbizotërohet nga shqetësime madhore, si ndryshimet klimaterike dhe tregtia. Megjithatë, sesioni i parë i punës pati ne fokus terrorizmin.

Përzgjedhja e Hamburgut, fuqia hi-tech e Gjermanisë Veriore, si vendi i zhvillimit të samitit të rëndësishëm nuk ishte rastesor. Merkel kërkon të tregojë se protestat masive mund të tolerohen në një demokraci të hapur, por ato nuk erdhën pa probleme.

Demonstruesit ia vështirësuan ditën ministrit gjerman të Financave, Volfgang Schauble, i cili për shkakun e tyre nuk ndoqi dot diskutimin e planifikuar të premten, ndërsa prania e turmës agresive nuk e lejoi Zonjën e Parë të Amerikës, Melania Trump që të largohej nga hoteli.

Samiti mbahet në kohërat më të vështira të dekadave të fundit për shkak të luftërave të shumta, krizave dhe mosmarrëveshjeve mes vendeve më të mëdha të globit. Vetë mikpritësja e tij, Angela Merkel është përpjekur që t’i ulë pritshmëritë nga ky event, duke paralajmëruar që të mos shpresohet në ndonjë mrekulli, apo marrëveshje epokale.

Mbrëmjen e së enjtes ajo u takua me Presidentin amerikan Donald Trump, në përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa ndonjë sukses të madh. Ndër temat më të trajtuara në samit do të jenë gjendja në Afrikë, tensionet në raportet me Korenë e Veriut dhe mundësia e një lufte të re atje, lufta në Siri, lufta në Ukrainë, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, refugjatët, si dhe dalja e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Top Channel