Protestat, Melania nuk del nga hoteli. Lëndohen 150 policë

07/07/2017 00:00

Klima plot buzëqeshje dhe shtrëngime duarsh në samitin e G20-s nuk reflekton aspak atë që ndodh në rrugët e Hamburgut, ku mijëra protestues janë përleshur me policinë duke zhytur në kaos disa zona të qytetit gjerman.

Grupet antikapitaliste vazhduan përballjen me forcat e rendit në ditën e dytë, që siç pritej ishte shumë më e nxehtë, por jo prej motit.

Protestuesit e shumtë hodhën shishe, gurë dhe mjete të tjera rrethanore ndaj policisë gjermane, e cila u përgjigj me topat e ujit, gaz lotsjellës dhe spraj djegës.

Autoritetet gjermane njoftuan se, rreth 150 oficerë policie kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmeve të protestuesve të dhunshëm, nga të cilët me dhjetëra kanë përfunduar në pranga.

Mediet raportojnë se policia ka ndërmarrë një superoperacion për të mbajtur demonstruesit larg ndërtesës së samitit dhe deri tani ia kanë dalë.

Situata ka qenë mjaft problematike, aq sa as Zonja e Parë amerikane Melania Trump nuk ka mundur të largohet ga hoteli i saj në Hamburg për shkak të protestave. Këto të fundit bëhen kryesisht kundër pranisë së Donald Trump, Vladimir Putin apo Recep Tayyp Erdogan, por edhe ndaj ndryshimeve klimatike dhe pabarazive në shpërndarjen e pasurisë botërore.

Top Channel