Kaliforni, zjarret përhapen me shpejtësi

07/07/2017 00:00

14 vatra zjarresh i kanë vënë nën presion të madh skuadrat e zjarrfikësve në Kaliforni ku shërbimet e emergjencës po përpiqen me mundim t`i bëjnë ballë një vale tronditëse të nxehti.

Më i rrezikshëm është zjarri i Alamos, i cili po përhapet me ritme të frikshme, i ushqyer nga temperaturat e çmendura në zonë. Flakët kaluan deri në jug të autostradës 166 të ndodhur aty pranë, çka i detyroi autoritetet ta mbyllnin krejtësisht rrugën përkundër shqetësimeve që i shkakton drejtuesve të automjeteve një veprim i tillë.

Viktima nuk ka, por frika është e madhe dhe paralajmërimet për evakuime nuk kanë munguar. Me mijëra hektarë tokë të zhuritura që në fund të qershorit, ishte e qartë për specialistët se Kalifornia duhet të përgatitet për një sezon të vështirë zjarresh.

I nxehti përvëlues ka tharë bimësinë në një shtet të përballur me 6 vite thatësirë të skajshme, e cila dëmtoi miliona pemë. Fatmirësisht, skenarët e ferrit të zjarreve që kanë shkatërruar me mijëra shtëpi në të kaluarën, nuk janë përsëritur më, por shpërthime flakësh tani po regjistrohen rregullisht e një pjesë e tyre, i janë afruar rrezikshëm zonave të banuara.

Një javë më parë, arriti një pikë kur i gjithë jugu i Kalifornisë ndjeu erën e tymit të zjarreve pyjore, e një pjese e tij u përball edhe me hirin e lëshuar.

Top Channel