Pas protesës së të enjtes, problemi Cirkut të Tiranës ndoshta do të marrë zgjidhje së shpejti, në vjeshtën e këtij viti. “Mbi bazën e protestës që bëmë dje u bë e mundur që ato të sprapsen, por problemi nuk është i zgjidhur.
Mesa kam informacion, Ministria ka deklaruar që do të bëhet një bisedim 3 palësh midis Ministrisë, Bashkisë dhe pronarit, ku do të vendoset çfarë zgjidhjeje do t’i japin”, thotë Reshat Ibrahimi, Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve.
Zgjidhja, sipas artistëve duhet të jetë e shpejtë, pasi Zyra Përmbarimore mund të trokasë sërish për ekzekutimin e vendimit.
“Do të thotë 1 javë, 2 javë, 3 javë! Ky është afati, sepse Zyra e Përmbarimit ndoshta mund të ketë edhe afatet e veta ligjore. Ajo ka ardhur disa herë deri më tani, por është kthyer nga ana jonë. Ne nuk mund të fusim në përleshje artistët dhe punonjësit me policinë, për një problem për të cilin duhet të përgjigjet shteti”, shprehet Ibrahimi.
Ndoshta e vetmja anë e mirë e situatës së krijuar do të jetë krjimi i një arene të re me parametrat e duhura. Artistët duan vetëm një cirk, pak rëndësi ka se ku.
“Ka qene një projekt i vitit 2012, sipas të cilit u hap një sipërfaqje pranë Liqenit prej 2.000 m2 dhe aty ishte bërë planimetria që të shkojë cirku pranë kësaj sipërfaqeje. Duke pasur parasysh studio e cirkut, palestrat e tij, kushtet e punës të institucionit ku punojnë artistët kuptohet që nuk janë të favorshme dhe ka ardhur koha patjetër që ky cirk duhet patjetër që të ketë një cirk të ri”, shton kreu i Sindikatës së Pavarur të Artistëve.
Artistët shpresojnë që periudha e verës do të mjaftojë për të marrë një vendim lidhur me ngërçin e krijuar, e ndërsa shumë të tjerë do të mund të pushojnë, edhe ata do të jenë me pushime, por me mendjen te cirku dhe tek surprizat që mund të rezervojë për ta shtatori.
Top Channel