Veliaj: Vjedhja e ujit krim, dënohet njësoj si vjedhja e energjisë

06/07/2017 00:00

Vjedhja e ujit është krim dhe dënohet njësoj si vjedhja e energjisë, ka deklaruar kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai siguroi qytetarët e prekur nga kufizimet, se do të vijojë puna për furnizimin me bote. “Më vjen mirë që kemi rritur numrin e personave që kanë vendosur të bëjnë një lidhje të ligjshme me UKT. Vjedhja e ujit është krim, i cili gjithashtu dënohet si vjedhja e energjisë. Dua të garantoj qytetarët, në atë 10% të Tiranës që ka ndjerë këtë problem, që pavarësisht përmirësimit të situatës, do vijojmë furnizimin me bote dhe të sigurohemi që pavarësisht çfarë ndodh në këtë fushatë radikale për prerjen e lidhjeve të paligjshme, ata nuk do të ndiejnë mungesën e ujit të pijshëm”, theksoi Veliaj.

Këtë deklaratë Veliaj e bëri gjatë inspektimit të rrjetit të ri për furnizimin me ujë të 120 mijë banorëve të zonës së ish Bllokut dhe Tiranës së Re. Falë masave të marra nga Bashkia, rezultatet e para janë shumë pozitive. Veliaj deklaroi se situata e furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të Tiranës është drejt përmirësimit dhe se pavarësisht se aksioni ende nuk ka përfunduar, prurjet në rrjet janë rritur.

“Sot nuk e kemi kaluar krizën, por gjendja është shumë më e mirë, kemi më shumë ujë në depo. Është e vetmja mënyrë se si sigurohemi që 93% e qytetit të Tiranës, e qytetarëve që e paguajnë faturën e ujit, që tregohen të kujdesshëm me ujin, që e respektojnë këtë mall. Pavarësisht se sa i lirë është ai në qytetin tonë, të mos dëmtohen nga një 7% i cili kryesisht është në zonat periferike të Tiranës dhe tregohet i pandjeshëm ndaj faktit që jemi në emergjencë uji, siç janë në fakt Italia, Greqia dhe shumica e Ballkanit”, theksoi Veliaj.

Ai shprehu vendosmërinë e Bashkisë për të marrë të gjithë masat e nevojshme për ndalimin e vjedhjes së ujit të pijshëm, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e tij.

Top Channel