Turqi, arrestohet kreu i “Amnesty International”

06/07/2017 00:00

Policia turke arrestoi 8 aktivistë kryesorë për të drejtat e njeriut, përfshirë kreun e “Amnesty International” për Turqinë, drejtoreshën Idil Eser, në Stamboll.

Edhe dy lektorë, një nga Gjermania dhe një tjetër nga Suedia u arrestuan gjatë operacionit në një hotel në zonën Buyukada, ku po zhvillohej një trajnim.

“Amnesty International” akuzoi rëndë policinë turke për arrestimet dhe tha se, ato janë bërë pa asnjë arsye.

Vendndodhja e të arrestuarve nuk bëhet e ditur, ndërsa për policinë tuke, ato janë thjesht numra që shtohen te më shumë se 50 mijë njerëzit e arrestuar që prej grushtit të dështuar të shtetit, vitin e kaluar.

“Amnesty International” tha se arrestimet e aktivistëve të saj janë një abuzim groteskt i pushtetit nga policia dhe theksojnë situatën, me të cilën përballen këta aktivistë në Turqi. Kjo organizatë kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm, por nga autoritetet turke nuk pati asnjë koment.

Arrestimi i Idil dhe kolegëve të saj vjen pikërisht kur Parlamenti Europian bëri thirrje për pezullimin e bisedimeve për anëtarësim të Turqisë, pikërisht për grushtin e hekurt me të cilin presidenti Erdogan po trajton kundërshtarët e tij në vend, sidomos që pas grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të kaluar.

Një muaj më parë, policia turke arrestoi një tjetër prej krerëve të “Amensty International” në vend, Taner Kiliç, i cili akuzohet se është anëtar i një grupi terrorist, të cilit autoritetet nuk i kanë vënë ende emër.

Top Channel