SHBA: Jemi gati me çdo mjet ndaj Koresë së Veriut

06/07/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara i lëshuan një paralajmërim të fortë Koresë së Veriut, duke i treguar se janë gati të përdorin çdo mjet përballë kërcënimit që buron prej vendit komunist, përfshirë këtu forcën ushtarake nëse do të jetë e nevojshme.

Deklarata e ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, e përshkruan si alarmues përshkallëzimin që përfaqëson lëshimi i raketës balistike ndërkontinentale nga Peniani, dy ditë më parë.

“Një tjetër rezolutë masash shtrënguese kundër Penianit do të jetë në tryezën e Kombeve të Bashkuara tani shpejt”, sqaroi ambasadorja, e cila nuk la pa përmendur edhe sanksionet tregtare.

“Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të përdorin gamën e plotë të kapaciteteve të tyre për mbrojtjen e vet dhe të aleatëve. Një prej këtyre kapaciteteve qëndron pikërisht te forca jonë e konsiderueshme ushtarake, të cilën do ta përdorim nëse duhet, edhe pse preferojmë të mos lëvizim në atë drejtim”, tha Nikki Haley, ambasadore e SHBA në OKB.

Rusia nuk është dakord me masa të tilla e thotë se, mundësia e ndërhyrjes ushtarake duhet përjashtuar. Linjën e saj e mbështet edhe Pekini.

Haley e kishte një përgjigje edhe për këtë rast. “Nëse rusët nuk duan masa më të ashpra kundër Penianit, le t’i vënë veton rezolutës që do të paraqesim këto ditë. Shtetet e Bashkuara, pastaj, do të vazhdojnë rrugën e tyre”, ishte komenti i shkurtër i saj.

Ndërkohë, dokumenti ka marrë paraprakisht mbështetjen e Francës. Lëshimi i raketës, që sipas ekspertëve mund të mbërrijë deri në Alaskë, e ka shqetësuar seriozisht Perëndimin, por ai që trembet më shumë është Seuli.

Nga Berlini, ku u takua me Kancelaren Angela Merkel, presidenti koreano-jugor Moon Jae-in u shpreh se, zhvillimi i teknologjisë bërthamore dhe raketore të Veriut po ndodh më shpejt nga sa pritej dhe theksoi nevojën e sanksioneve mbi fqinjin e vet të rrezikshëm. Peniani kokëfortë këmbëngul të mos negociojë, nëse Uashingtoni nuk i jep fund politikave armiqësore ndaj tij.

Top Channel