
Fjalimi sintezë i Donald Trump nga kryeqyteti i Polonisë, Varshavë, u fokusua te zhvillimet e kohës me argument themelor atë që shtypi ndërkombëtar e profetizonte prej orësh të tëra: në lojë, sipas presidentit amerikan, sot është e ardhmja e vet civilizimit perëndimor.
Vendi nga ku ai iu drejtua polakëve, sheshi “Krasinski” është i veshur me simbolizmin e rezistencës ndaj sundimit totalitar. Aty ngrihet monumenti i kushtuar atyre që luftuan, por nuk arritën ta shpëtonin Varshavën nga dara e nazizmit në vitin 1944.
Duke e sjellë Poloninë si shembullin e shtetit të gatshëm për mbrojtjen e qytetërimit, Trump paralajmëroi mbi kërcënimet që burojnë nga “terrorizmi dhe ekstremizmi”, ndërsa në konferencën e mëhershme për shtyp shënjestroi Korenë e Veriut, me deklaratën se po bëhet shumë e rrezikshme, e për këtë tha se duhet bërë diçka.
“Siç na kujton eksperienca e Polonisë, mbrojtja e Perëndimit varet jo vetëm nga mjetet, por edhe nga vullneti i popujve të tij për të trimfuar. Pyetja themelore e kohës sonë është, a e ka Perëndimi vullnetin për mbijetesë?”, tha Trump.
Por Perëndimi, – u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, – nuk do të thyhet kurrë.
“Le të luftojmë, siç bënë polakët në këtë shesh për familjen, për lirinë, për Zotin. Vlerat tona do të triumfojnë”, tha Trump.
Në fjalimin e shumëpritur, kreu i administratës amerikane e preku sërish çështjen e shpenzimeve të NATO-s.
“Atyre që kritikojnë qëndrimin tonë u them se, Shtetet e Bashkuara e mbështesin jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime parimin ‘sulmi ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve’. Por Europa duhet të bëjë më shumë”, tha Trump.
Trump i dërgoi një mesazh edhe Rusisë, duke e nxitur t’i japë fund aktivitetit destablizues në Ukrainë e gjetkë. Presidenti amerikan rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Amerikës për Europën Lindore, duke e hedhur një hap të tillë përpara se të takohet për herë të parë personalisht me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, në Hamburg.
Top Channel