Ikin SHBA-të, vjen BE. Japonia firmos me Brukselin për tregtinë e lirë

06/07/2017 00:00

Aty ku tërhiqet Amerika, hyn BE-ja. Bashkimi Europian dhe Japonia vulosën zyrtarisht marrëveshjen e tregtisë së lirë, e cila i hap rrugën shkëmbimit të mallrave pa barriera doganore mes dy prej zonave më të mëdha ekonomike të globit.

Në mesin e sektorëve më të rëndësishëm për Tokion përmendet ai i makinave, ndërsa për Brukselin ka vlerë të madhe prania e produkteve bujqësore europiane në Japoni. Në sytë e presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, pakti dëshmon qartë shkallën e angazhimit të BE-së në tregtinë botërore.

“Ia dolëm. Arritëm t’i përfundojmë bisedimet politike dhe tregtare me Japoninë. Bashkimi Europian, siç mund të vihet re, është gjithmonë e më i angazhuar në nivel global”, tha Donald Tusk, president i Këshillit të BE-së.

Ujdia, – sipas tij, – rrëzon argumentet e disa zërave pro “Brexit”-it se, pa Britaninë, blloku nuk do të jetë në gjendje të promovojë tregtinë e lirë. “Disa thonë se po vjen përsëri koha e izolimit dhe shpërbërjes, por unë u them se nuk është ky rasti”, deklaroi Tusk.

Pakti arrihet disa muaj pas shembjes së marrëveshje së shumëpritur tregtare mes Japonise, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të rrethit të Paqësorit, të njohur si “TPP”, nga e cila presidenti amerikan Donald Trump zgjodhi të hiqte dorë. Japonia është ekonomia e tretë më e madhe e botës dhe tregu i shtatë më i rëndësishëm për eksportet europiane.

Top Channel