Trump viziton Varshavën. Në fokus marrëdhëniet transatlantike

05/07/2017 00:00

Donald Trump viziton sot Varshavën, e tensioni në kryeqytetin polak është në rritje. “Nuk është hera e parë, që një president amerikan viziton Poloninë”, kujtojnë opinionistë.

Që nga koha e Richard Nixonit e deri më sot ka pasur 10 vizita të këtij lloji. Por ai është në njëfarë mënyre presidenti shumë ndryshe i Amerikës, i cili do të shtrëngojë duart me 12 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga vendet lindore të BE-së, që nga Estonia e deri në Austri.

Për shefin e Shtëpisë së Bardhë, ky është rasti të zbusë marrëdhëniet transatlantike, e të qetësojë aleatët e NATO-s, ende të tronditur nga fakti që në udhëtimin e vet të mëparshëm nuk e përqafoi parimin kyç të aleancës: sulmi ndaj njërit prej vendeve anëtare është sulm ndaj të gjithëve bashkë!

Zyra e tij thotë se, presidenti amerikan do të shfrytëzojë momentin për të ritheksuar detyrimin e Amerikës ndaj Polonisë, si një prej aleatëve më të ngushtë europianë. Bëhet fjalë edhe për “vlera dhe interesa të përbashkëta” dhe një lidhje të ngushtë me Europën Qendrore, sqarohet në deklaratën e lëshuar prej saj.

Trump pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm përpara një turme njerëzish në monumentin përkujtimor të kryengritjes së Varshavës. Ky fjalim do të ketë një ngarkesë të madhe simbolike, nisur nga afërsia e vendit me Rusinë dhe frika rajonale mbi oreksin e Moskës për lëvizje kufijsh, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Udhëtimi i Trumpit në Varshavë vjen një ditë përpara samitit të G20-s dhe konsiderohet shprehje e qartë e mirënjohjes ndaj Polonisë, si partner besnik i Shteteve të Bashkuara.

Top Channel