Trefishohen lundrimet. Fluks i madh gjatë verës në Portin e Durrësit

05/07/2017 00:00

Gjatë dy muajve të verës, tragetet e linjës Durrës-Ankona e kthim do të trefishojnë lundrimet, në përgjigje të kërkesave të shumta dhe lehtësimit të udhëtimit për bashkatdhetarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit e që kthehen për pushime pranë familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Nga Zyra e Informacionit pranë Autoritetit Portual Durrës mësohet se në grafikët e kompanive lundruese është parashikuar një ritëm thuajse i përditshëm i lundrimeve të trageteve drejt Ankonës.

Sipas grafikut të ri, që nga data 5 korrik deri në fund të muajit gusht, tragetet e kësaj linje do të mungojnë vetëm 5 ditë, duke qenë të pranishëm në 52 ditë të tjera.

Gjatë vitit tragetet e linjës Durrës-Ankona e kthim lundrojnë dy herë në javë, ndërsa njëri nga udhëtimet vijon edhe drejt portit të Triestes.

Në stinën e verës, disa dhjetëra mijëra pushues vendas dhe të huaj udhëtojnë me tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona-Trieste nga vendet e Evropës perëndimore ku jetojnë dhe punojnë drejt vendit tonë dhe anasjelltas.

Ndërkohë, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, transporti detar me tragete është përdorur nga afro 275 mijë udhëtarë shqiptarë e të huaj.

Top Channel