Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë në kodrat e fshatrave Radostinë dhe Vadhizë, në Qarkun e Fierit. Si pasojë e flakëve, rreth 10 mijë rrënjë ullinj janë djegur tërësisht në një sipërfaqe të përgjithshme prej më shumë se 6 hektarë.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikëseve dhe banorëve të zonës me mjete rrethanore, era e fortë ka favorizuar flakët e zjarrit, duke i përhapur ato me shpejtësi.
Dëmi ekonomik është i lartë dhe mendohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa priten hetimet e policisë për të gjetur autorin e kësaj zjarrvënie.
Ndërkohë në 24 orët e fundit janë konstatuar 10 vatra zjarri në disa qytete si Vlorë, Shkodër, Durrës, fier dhe Berat. Emergjencat Civile njoftojnë se shërbimet zjarrfikëse ndërhynë megjithë vështirësitë e terrenit.
Në fshatin Bogovë, ra një zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ku u dogj një hektar. Për shkak të terrenit të vështirë malor zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve.
Shtatë hektarë pyje të tjera janë djegur në Fier e Lushnje. Dy vatra zjarri ka patur në Vlorë, ku për pasojë u dogjën rreth dy hektarë sipërfaqe me shkurre pisha dhe ullinj.
Në Malësi të Madhe zjarri dogji një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale. Emergjencat Civile thonë se në të gjithë operacionet janë angazhuar mbi 50 forca zjarrfikëse, 14 automjete, 20 forca të pyjores si dhe banorët e zonës.
Top Channel