
Pak ditë përpara samitit të G20-s, Trump ul tonet me Angela Merkelin e dërgon në drejtim të Kancelares gjermane disa sinjale miqësore.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se, gjatë një telefonate mbrëmjen e së hënës, presidenti amerikan është shprehur i gatshëm të ndihmojë shefen e ekzekutivit gjerman, që takimi i rëndësishëm të rezultojë një sukses.
Dy udhëheqësit kanë biseduar gjerësisht për çështje të ndryshme, si klima, mbrojtja e sipërmarrësve, tregtia, apo prodhimi i metalit.
Ekziston një farë frike se, gjatë samitit që do të mbahet në datat 7 dhe 8 korrik, republikani mund të shkaktojë mosmarrëveshje me qëndrimet e tij për politikat proteksioniste në tregti dhe ekonomi, apo kundërshtimet ndaj Marrëveshjes së Parisit mbi klimën.
Dallimet me Merkelin në shumë tema mbeten të mëdha. Ajo e ka kritikuar disa herë qëndrimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë mbi ndryshimet klimatike dhe tregtinë, por pa e përmendur në emër. Pikërisht kursi i deritanishëm i administratës amerikane e ka shtyrë të dalë me paralajmërimin se, nuk duhen pasur pritshmëri të larta, nga samiti që do ta organizojë në Hamburg.
“E njohim linjën amerikane për çështje të caktuara, – është shprehur Merkel, – dhe nuk pres që brenda këtij takimi dyditor ajo të ndryshojë rrënjësisht”.
Kancelarja, prej ditësh është duke zhvilluar takime dhe konsultime për këtë samit. Javën që shkoi, ajo u takua me krerët e BE-së; të premten i telefonoi presidentit rus, Vladimir Putin; e në vazhdim do të bisedojë edhe me presidentin e Kinës, Xi Jinping.
Top Channel