Situata nga zjarret, 4 vatra në Vlorë, Fier dhe Durrës

04/07/2017 00:00

Temperaturat mbeten ende të larta në vend dhe rreziku i zjarreve evident. Emergjencat Civile raportojnë se përgjatë orëve të fundit ka pasur 4 vatra zjarri në sipërfaqe me pyje dhe shkurre në Vlorë, Fier dhe Durrës.

Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të shuar flakët pavarësisht terrenit të vështirë.

QARKU VLORË
Në fshatin Armen, Selenicë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra u përfshi nga flakët, të cilat rrezikojnë edhe disa banesa. Për shuarjen e flakëve kanë shkuar forca zjarrfikëse nga Vlora. Me kërkesë të Prefektit, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile koordinoi dërgimin edhe të 60 forcave ushtarake për ndihmë.

QARKU FIER
Në fshatin Gjorgos, Cakran është riaktivizuar përsëri vatra e zjarrit e një dite më parë në një masiv me pisha. Forca të zjarrfikësve të Fierit ndodhen në vendngjarje dhe janë duke punuar për shuarjen e flakëve edhe pse terreni është i vështirë.

Ndërkohë në fshatin Zhupan, Qendër gjatë paradites ka rënë një zjarr në një zonë me shkurre, ferra dhe ullishte. Nga flakët është djegur një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre e ferra si dhe pjesërisht 10 rrënjë ullinj.

QARKU DURRËS
Në Gjirin e Lalzit, Ishëm ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.
Zjarrfikëset nga Durrësi kanë mbërritur dhe kanë shuar flakët brenda pak minutash. Për pasojë është djegur një sipërfaqe prej rreth 1 dynym me shkurre dhe ferra.

Top Channel