
Koreja e Veriut lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi drejt Japonisë, duke vënë në alarm vendin fqinj. Raketa është nisur nga një fushë ajrore pranë Pangionit, e ka fluturuar për 37 minuta përpara se të binte në detin e Japonisë.
“Sipas vendimit strategjik të udhëheqësit Kim Jong-un, shkencëtarët dhe teknikët e Akademisë koreano-veriore të Shkencave kanë testuar me sukses raketën më të re balistike ndërkontinentale Hwasong-14”, tha një moderator i “KRT”.
Kryeministri japonez, Shinzo Abe tha se ky lëshim tregon qartë se “kërcënimi koreano-verior është rritur”.
Peniani e ka shtuar këto muajt e fundit nivelin e testeve të tij bërthamore e atyre raketore, duke tensionuar gjithmonë e më shumë situatën me fqinjët. Raketa, që qëndroi në ajër për gati 930 km, ra në ujërat e konsideruara nga Tokio si pjesë e zonës së saj ekskluzive ekonomike.
Zyrtarët amerikanë sqaruan se ajo nuk përbënte ndonjë kërcënim për Amerikën e Veriut, megjithatë vendi komunist këmbëngul se ajo mund të mbërrijë “në çdo pjesë të botës”.
“Si vend i fuqishëm bërthamor me raketat më të mira ‘ICBM’, Koreja e Veriut do t’u japë fund kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara me një luftë atomike”, u tha në televizionin shtetëror.
Ky është lëshimi i 11 raketor i Penianit brenda vitit. Rrezja e tij e veprimit duket të jetë më e madhe se ajo e raketave të tjera.
Donald Trump shkroi në “Twitter” se është e vështirë të besohet, që Koreja e Jugut dhe Japonia do të rrinin e do të bënin sehir për një kohë kaq të gjatë, ndërsa shtoi se ndoshta Kina do t’ia mbledhë pak Veriut dhe t’i japë fund këtij absurditeti.
Top Channel