Pas protestave masive në Beograd, Vuçiç njofton dorëheqjen brenda muajsh, SNS pritet të zbulojë platformën zgjedhore Prokuroria Speciale Publike në Maqedoni kërkoi shumë arrestime, por nuk ia doli të burgosë askënd.
Pas disfatës në Gjykatën Penale, Prokuroria Speciale ka vendosur që “zeron” e arrestimeve ta përmirësojë sa të mundet në Gjykatën e Apelit.
Gjykata e shkallës së dytë do të jetë në fokus të medieve dhe opinionit në Maqedoni gjatë ditëve të ardhshme, ku do të rishikohen vendimet e Gjykatës Themelore “Shkupi 1”, e cila vendosi që të mos japë masën e paraburgimit për asnjë nga ish-zyrtarët e lartë, siç kërkoi Prokuroria.
Nga ekipi i prokurores speciale, Katica Janeva njoftuan se po përgatiten ankesat ndaj masave të buta të Gjykatës Penale. Sipas procedurës, Gjykata e Apelit ka dy ditë kohë që të vendosë, pas ankimimit të Prokurorisë.
Kjo e fundit u zhgënjye mjaft nga vendimi i Gjykatës Penale, e cila thjesht i mori pasaportën ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe nuk urdhëroi paraburgimin e tij, siç kishte kërkuar organi i akuzës.
Vendim i njëjtë u mor edhe për bashkëpunëtorët e tij të afërt, Mile Janakieski, Gordana Jankuloska, Kiril Bozhinovski dhe Martin Protugjer. Paraburgimit i shpëtoi edhe ish-shefi i Policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ndërsa mediet maqedonase spekulojnë se ky ishte një prej arrestimeve të kërkuara më fort nga Prokuroria Speciale.
Top Channel