Fluksi i emigrantëve, Austria: Do përdorim ushtrinë në kufi me Italinë

04/07/2017 00:00

Njoftimi i qeverisë austriake se, është gati të dërgojë ushtrinë në kufi me Italinë, për të bllokuar çdo fluks emigrantësh, e ka shtyrë Romën të thërrasë për sqarime ambasadorin e Austrisë.

Ministri i Mbrojtjes në Vjenë, Hans Peter Doskozil i tha të përditshmes “Kronen Zeitung” se, trupat  mund të vendosen në kalimin Brenner. Katër autoblinda “Pandur” me personel ushtarak janë dërguar – sipas tij, – në rajonin e Tirolit dhe 750 ushtarë janë në gjendje gatishmërie të lartë.

Në linjën kufitare me Hungarinë, Austria ka vendosur postblloqe, por për pjesën tjetër funksionon sistemi i BE-së për kufij të hapur.

Për Doskozil, dërgimi i trupave në kalimin kufitar alpin do të paraqitet si domosdoshmëri, nëse vërshimi i refugjatëve të ardhur në Itali përmes Mesdheut nuk do të zvogëlohet. Roma ka paralajmëruar se shkalla aktuale e nivelit të mbërritjeve është e papërballueshme për të, e thotë se po nuk u ndihmua nga blloku, mund t’i mbyllë portet e saj për anijet e përfshira në operacione shpëtimi.

Sistemi i “Schengen”-it u trondit në vitin 2015 nga vala e paprecedentë e emigrantëve dhe refugjatëve, që mbërriten në Europën Qendrore nëpërmjet Ballkanit. Shumica e tyre kërkonin azil në Gjermani.

Me mbylljen e rrugës ballkanike për emigantët, vëmendja u spostua sërish tek Italia, ku fluksi i tyre këtë vit është më i lartë sesa në vitin 2016, ndërsa kalimi i Brennerit shihet si pikë me potencial të lartë shndërrimi në vatër emigracioni.

Top Channel