
Konservatorët e Angela Merkel kanë hequr termin “mik”, në përshkrimin e lidhjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në programin e fushatës për zgjedhjet në Gjermani.
Katër vjet më parë, programi i përbashkët i Demokristianëve të Merkel dhe i aleatëve të Unionit Kristian-social, i referohej SHBA si miku më i rëndësishëm i Gjermanisë jashtë Evropës.
Programi i vitit 2013 e përshkruante miqësinë me Uashingtonin si një gur themeli të raporteve ndërkombëtare të Gjermanisë dhe gjithashtu fliste për përforcimin e lidhjeve ekonomike transatlantike përmes heqjes së barrierave tregtare. Por fjalët mik dhe miqësi mungojnë nga programi më i fundit zgjedhor, i cili titullohet “për një Gjermani në të cilën jetojmë mirë dhe lumtur”.
Programi u paraqit nga Merkel dhe kreu i partisë aleate CSU Horst Seehofer. Më program, SHBA përshkruhet si partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë jashtë evropës, ndryshim terminologjik që zyrtarë të partisë CDU të Merkel nuk preferuan ta komentojnë.
Pavarësisht mungesës së këtij komenti, nuk ka dyshim se ndryshimi i fjalëve nënvizon se si raportet mes Berlinit dhe Washingtonit janë përkeqësuar qëkur presidenti Donald Trump mori detyrën në Janar.
Angela Merkel në fakt ka qenë në objektiv të kritikave të Trump. Presidenti amerikan deklaroi kohë më parë se kancelarja po e shkatërron Gjermaninë me politikat e saj të emigracionit, ët cilat ai i cilësoi një çmenduri.
Top Channel