
Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi një rinovim radikal të qeverisë së vendit. Gjatë fjalimit në pallatin historik të Versajës, Macron tha edhe se planifikon që të shkurtojë me një të tretën numrin e ligjvënësve.
Sipas Macron, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale dhe më pas ato parlamentare me premtimin e ndryshimi të Francës, reduktimi i numrit të deputetëve do të prodhojë një qeveri më efektive dhe do ta vendosë Francën në një rrugë radikalisht të re.
Duke shfrytëzuar pikërisht këto fitore të mëdha, Macron madje kërcënoi me stil se nëse parlamenti nuk miraton ndryshimet e propozuara brenda një viti, ai do t’i drejtohet sovranit përmes një referendumi.
“Në të shkuarën, procedurat preferoheshin ndaj rezultateve, rregullat ndaj iniciativës, shfrytëzimi i parave publike ndaj ndershmërisë”, u shpreh Macron.
Shkurtimi i legjislativit i propozuar prej tij do të reduktonte numrin e anëtarëve të asamblesë kombëtare nga 577 në 385 dhe atë të senatorëve nga 348 në 232. Gjatë fjalimit të tij 90 minutësh nga Versaja, diçka e rrallë për një president francez, Macron gjithashtu tha se do të ndryshohet sistemi zgjedhor në vend për të lejuar më shumë përfaqësim proporcional, në mënyrë që të dëgjohen më shumë zëra.
Ai gjithashtu premtoi se gjendja e emergjencës në Francë do të hiqet në vjeshtë.
Macron nuk kurseu kritikat edhe për bashkimin Evropian, i cili sipas tij gjatë 10 viteve të fundit ka humbur rrugën mes burokracisë në rritje dhe se zgjidhja është një brez i ri liderësh.
Top Channel