Gjermani, autobusi merr flakë. Turistë të plagosur dhe të zhdukur

03/07/2017 00:00

Kancelarja Angela Merkel shprehu tronditjen e thellë për aksidentin rrugor në Bavari, ku përplasja e një autobusi me një maune solli plagosjen e 31 personave, ndërsa 18 të tjerë nuk gjenden. Nga sa pohoi vet shefja e ekzekutivit, shpresa që këta persona të jenë ende gjallë është shumë e vogël.

“Dimë se ka një numër të madh viktimash e shumë të plagosur. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të afërmit e të prekurve nga ky aksident tragjik. Të lënduarve ju urojmë me gjithë zemër shërim të shpejtë”, tha Merkel.

Dinamika e ngjarjes po zbardhet ngadalë, edhe pse jo plotësisht. Autobusi është përplasur me kamionin me rimorkio në afërsi të Stammbach, në veri të landit bavarez. Një pjesë e pasagjerëve kanë marrë plagë të rënda, ndërsa pas paqartësisë së fillimit, autoritetet rajonale pohuan se të zhdukurit në fakt mund të kenë humbur jetën brenda autobusit, që u dogj i tëri.

Në vendngjarje mbërritën me urgjencë punonjës të ndihmës së shpejtë dhe helikopterë për të transportuar të lënduarit në spital. Nuk dihet ende me saktësi se çfarë e shkaktoi aksidentin. Mësohet se grupi i udhëtarëve vinte nga Saksonia. Tani ka mbetur vetëm një shpresë e zbehtë, se ndonjëri prej të zhdukurve mund të jetë hedhur jashtë mjetit, përpara se flakët ta gllabëronin të gjithin, e tani të jetë diku në zonë.

Top Channel