Lirohet nga burgu ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert

02/07/2017 00:00

Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert, është liruar nga burgu me kusht pasi kreu dy të tretat e dënimit 27 muajsh, për mashtrim. Ai u burgos në 2016 pasi u dënua për korrupsion dhe pengim të drejtësisë kur ishte ministër i Tregtisë.

Olmert ishte i pari ish-shef qeverie në Izrael që burgoset. Ai u bë kryeministër në 2006 por dha dorëheqjen tre vite më pas kur policia hodhi një seri akuzash kundër tij. 71-vjeçari nuk foli për gazetarët ndërsa dilte nga burgu i Maasiyahut në Izraelin qendror.

Më herët, bordi Izraeli i faljeve tha se Olmert i ishte nënshtruar një procesi rehabilitues domethënës në burg dhe sjellja e tij kish qenë pa të meta. Ai sidoqoftë, mbetet nën hetimin e zyrës së prokurorit për dyshimet se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme nga burgu një kapitull të një libri që ai po shkruan duke ngritur frikën se mund të komprometojë sigurinë kombëtare.

Ka pasur thirrje për mëshirë pasi një foto e tij në një shtrat spitali qarkulloi nëpër mediat sociale javën e kaluar. Ai ishte shtruar në spital me dhimbje kraharori por pasi u trajtua u rikthye në burg.

Top Channel