Nishani në ceremoninë e nderimit të ish-kancelarit Kohl

01/07/2017 00:00

Presidenti Bujar Nishani mori pjesë në ceremoninë e nderimit kushtuar ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, që u zhvillua në sallën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Kreu i shtetit shqiptar shprehu keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të kancelarit Kohl dhe tha se lutet për prehjen e tij në paqe. Gjithashtu, në emër të popullit shqiptar ai i përcolli ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe autoriteteve më të larta gjermane të pranishme.

Nishani vlerësoi rolin, kontributin dhe vizionin largpamës të ish-kancelarit Kohl për bashkimin e Gjermanisë dhe të Evropës, si dhe mbështetjen e fortë që u dha shqiptarëve për t’u shkëputur nga diktatura komuniste e për të hedhur hapat e para të demokracisë.

Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm figura të njohura të arenës politike ndërkombëtare si kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, etj.

Top Channel