Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump kritikoi shtetet amerikane që po refuzojnë t’i japin detajet e votuesve, Komisionit të tij për manipulime zgjedhore.
“Çfarë po përpiqen të fshehin?”, ishte pyetja që ngriti presidenti amerikan në rrjetin social “Twitter”.
Të paktën 20 shtete kanë thënë se nuk do t’i përgjigjen kërkesës, ose do ta bëjnë vetëm pjesërisht, duke cituar shqetësime mbi privatësinë. Demokratët druhen se, komisioni mund të përdoret për të justifikuar ashpërsimin e procedurave të votimit, ndryshime këto që mund të ndikojnë në rënien e numrit të votuesve.
Grupet më të prekura nga e ashtuquajtura “ndrydhje e votuesit” zakonisht kanë tendencën të votojnë për demokratët. Por nuk janë vetëm demokratët që kundërshtojnë grumbullimin e të dhënave të tilla nga qeveria federale.
Edhe disa republikanë janë shprehur kundër procedurës. Trump krijoi komisionin për të hetuar pretendimet e tij, të pambështetura në prova, se manipulimi me votat i kishte kushtuar humbjen e votës popullore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Ai siguroi më shumë vota në kolegjet më të rëndësishme zgjedhore sesa rivalja demokrate, Hillary Clinton, e prandaj fitoi Presidencën. Pavarësisht provave të shumta se manipulimi me votat nuk është një problem i përhapur në SHBA, Trump nuk hoqi dorë nga synimi i tij, duke krijuar komisionin në muajin maj, – siç tha, – me qëllimin për të rritur besimin e popullit tek integriteti i sistemit zgjedhor.
Top Channel