
Donald Trump dhe Vladimir Putin takohen për herë të parë kokë më kokë, javën e ardhshme në samitin e G20-s në Hamburg.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Herbert Raymond McMaster e bëri njoftimin të enjten, në takimin me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë. McMaster nuk sqaroi, megjithatë, nëse pjesë e bisedimeve do të jetë edhe ndërhyrja ruse në presidencialet amerikane të vitit 2016.
“Nuk ka një agjendë të caktuar, – tha zyrtari i lartë, duke shtuar se – varet çfarë duan të bisedojnë presidentët”.
Takimi vjen në mesin e stuhisë që kanë shkaktuar pretendimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, me veprime ku përfshihen sulme kibernetike dhe fushata të keqinformimit, si dhe hetimeve të ngritura në Shtetet e Bashkuara për këtë qëllim.
Agjencitë amerikane të kundërzbulimit kanë dalë në përfundimin se Rusia ishte angazhuar me qëllimin të ndihmojë Trumpin të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Javën e kaluar, shefi i Sigurimit të Brendshëm, Jeh Johnson, dhe zyrtarë të tjerë të Shteteve të Bashkuara konfirmuan ndërhyrjen ruse, por në dëshminë e dhënë në “Capitol Hill”, ai tha se nuk ka prova që Moska ka qenë në gjendje të ndryshojë votat.
Vet shefi i Kremlinit i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e një ndërhyrjeje qeveritare ruse në sulmet kibernetike në SHBA, por ka deklaruar nga ana tjetër se, mund të jenë kryer goditje nga persona që i cilëson si “hackera pariotë”.
Disa zyrtarë të administratës amerikane kërkojnë marrëdhënie të kujdesshme me Moskën, për sa kohë hetimet janë në zhvillim. Ama “Zëri i Amerikës” këmbëngul se, vet Trump dhe të tjerë në administratën e tij janë të etur të bisedojnë me Putinin, e kjo i ka shtyrë të angazhohen në organizimin e një takimi tipik dypalësh.
Top Channel