
Regjimi i Assadit e ka mohuar me forcë, por hetimi i Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike konfirmoi se, në sulmin vdekjeprurës të 4 prillit në Siri është përdorur gaz nervor sarin.
Sulmi në qytetin Khan Sheikhoun të provincës së Idlibit shkaktoi mbi 90 të vdekur, mes të cilëve edhe gra e fëmijë, e zemërim anembanë botës me shpërndarjen e fotografive dhe videove që tregonin fëmijë duke u përpëlitur përpara kamerave në grahmat e vdekjes.
“I dënoj fuqishëm këto mizori, që bien ndesh me normat e Konventës për armët kimike”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i organizatës, Ahmet Uzumçu. “Autorët e këtij sulmi të tmerrshëm duhet të japin llogari për krimet e tyre”, shtoi ai.
Hetimet nuk përcaktojnë se cilët janë fajtorët e ngjarjes. Përfundimet e tyre do të përdoren nga një ekip i përbashkët hetuesish të kësaj organizate dhe OKB-së, për të vlerësuar se mbi kë rëndon përgjegjësia.
Presidenti Donald Trump ishte mbështetur në imazhet e pasojave të sulmit në Khan Sheikhoun, kur nisi sulmin ndëshkues me raketa dy ditë më pas, në bazën ajrore të kontrolluar nga qeveria siriane, prej nga ku zyrtarët amerikanë thanë se ushtria e Sirisë kishte kryer sulmin kimik.
Ai ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë amerikan mbi qeverinë siriane dhe urdhri më dramatik ushtarak i Trumpit, që prej marrjes së postit disa muaj më parë. Assad nuk pranon të ketë përdorur armë kimike, ndërsa aleati i tij, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi më herët këtë muaj sulmin, si “provokim” të organizuar nga njerëz që donin të fajësonin kreun e regjimit sirian për ngjarjen e rëndë.
Top Channel