Mungesa e ujit, pushteti vendor në terren; priten lidhjet e paligjshme

30/06/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ndërpreu 226 lidhje të paligjshme në një ditë në rrjetin e ujësjellësit. Uji i pijshëm përdorej për vaditje.

22 grupe të task forcës kontrolluan linjat e transmetimit në periferi të Tiranës si Yrshek, Mëzez, Kashar, Babrru, Shkozë, Sauk, si dhe rrjetin shpërndarës brenda në qyetet.

Gjatë kontrollit u vendosën gjoba për 26 familajrë dhe 12 biznese, ndërsa 3 perosna u shoqëruan në polici. Task forca bëri dhe verifikimin e 2.130 abonentëve, duke ndërprerë akt-marrëveshjet me 34 prej tyre, të cilët rezultonin debitorë ndaj Ujësjellësit.

Gjatë ditës së sotme u konstatuan dhe u ndërprenë lidhjet në disa lavazhe makinash. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës u kërkoi qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje apo problem me furnizimin me ujë të pijshëm në numrat 0800 08 88 dhe 0800 44 88.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte në Shkozë për të inspektuar nga afër punimet në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve.

“Këtë thirrje ua drejtoj gjithë banorëve, edhe atyre që jetojnë në pjesë të tjera më të ulëta të Tiranës, pra më larg Dajtit, të cilët spërkasin me ujë rrugën, bahçen e tyre, trotuarin, lajnë tapetet, ujisin dhe vadisin me ujë të pijshëm, që të tregojnë pak më shumë kujdes. Kur secili tregon kujdes mbetet më shumë ujë për fqinjin, për nipat dhe mbesat, që e kanë ndoshta shtëpinë në një cep tjetër të Tiranës. Na duhet kujdes nga të gjithë”, tha Veliaj.

Bashkia dhe UKT nisën një nga investimet më të mëdha në zonën nga Shkoza e Sipërme deri në Lanabregas, që ka për qëllim përmirësimin e shërbimit të furnizimit me ujë për 4 mijë banorë që jetojnë aty.

“Jam shumë i kënaqur që pas 27 vitesh ndërhyjmë në një zonë e cila nuk ka njohur investime prej vitesh. Është një zonë, e cila është populluar vitet e fundit, me banorë nga të gjitha anët e Shqipërisë, që me punën dhe djersën e tyre kanë bërë këto investime. Uji është hapi i parë sepse pa ujë s’ka jetë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, për përballimin e situatës janë angazhuar edhe 5 autobotë uji të Forcave të Armatosura, të cilat filluan shpërndarjen e ujit të pijshëm në zonat me probleme, kryesisht në Yzberisht dhe Kashar.

Top Channel