
Parlamenti gjerman miratoi ligjin që lejon martesat mes personave të të njëjtit seks, të cilëve tani e tutje do t’iu njihet edhe e drejta të birësojnë fëmijë.
Çifteve homoseksuale në Gjermani u është lejuar që prej vitit 2001 të regjistronin në zyrat e Gjendjes Civile një formë partneriteti, e cila përjashtonte adoptimin e fëmijëve. Por me votën pro të Bundestagut, ata do të kenë tani e tutje të njëjtat të drejta, si në martesën mes një burri e një gruaje.
“Vendimi i marrë në këtë sallë, ndoshta nuk është i mirë për koalicionin. Por është padyshim i mirë për popullin”, tha Thomas Oppermann, nga Partia Socialdemokrate.
Kancelarja Angela Merkel, partia e saj konservatore CDU dhe simotra e vet, CSU, kanë qenë kundër martesave të tilla.
Në vitin 2013, Merkel ishte shprehur gjatë fushatës elektorale se, e kishte të vështirë ta pranonte njohjen e partneritetit mes një çifti homoseksual, por tani vendosi të ndryshojë qëndrim. Kancelarja deklaroi këto ditë se, çdo deputet duhet të votojë për këtë çështje sipas mendimit dhe ndërgjegjies së tij, e jo sipas vullnetit të partisë që përfaqëson.
Por ajo vet votoi kundër.
“Për mua, martesa në ligjin bazë është martesë mes një burri dhe një gruaje. Kjo është arsyeja përse zgjodha të mos e votoj këtë projektligj”, tha Merkel.
Një sondazh i kryer nga agjencia shtetërore vendase kundër diskriminimit kishte dalë më herët në përfundimin se 83% e gjermanëve e mbështesnin martesën mes personave të të njëjtit seks.
Top Channel