
Shtëpia e Bardhë ka vendosur kritere të reja për aplikantët e vizave nga 6 vende me shumicë myslimane dhe të gjithë refugjatët, duke i kërkuar të kenë një lidhje të ngushtë familjare apo biznesi në Shtetet e Bashkuara, në të kundërt nuk do të hyjnë dot në Amerikë.
Rregullat do të prekin shtetasit nga Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni, e hyjnë në fuqi të enjten. Ato u bënë publike pasi Gjykata e Lartë riktheu pjesërisht ndalimin e udhëtimit të vendosur nga presidenti Donald Trump, i cili ishte bllokuar nga gjykata të shkallëve më të ulëta.
Më herët, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare u kërkoi kompanive ajrore dhe aeroporteve të forcojnë kontrollet e udhëtarëve dhe të bagazheve. “Kush nuk bindet, mund të përballet me masa të ashpra”.
Megjithatë ndalimi i laptopëve, që u vendos në SHBA në muajin mars për 8 vende me shumicë myslimane, nuk do të zgjerohet më tej. Sipas kreut të këtij institucioni, John Kelly, ndryshimet janë të nevojshme nisur nga interesi i lartë i terroristëve për të shënjestruar sektorin e aviacionit.
“Armiqtë tanë punojnë pa rreshtur për të gjetur mënyra të reja të fshehjes së eksplozivëve, rekrutimit të personave të brendshëm e rrëmbimit të avionëve. Ne nuk mund të luajmë ndërkombëtarisht ‘gjej urithin’ me çdo kërcënim të ri që shfaqet”, u shpreh Kelly. “Në vend të kësaj duhet të vendosim rregulla të reja, në mënyrë qe ta mbajmë të sigurtë transportin publik dhe t’ua bëjmë më të vështirë suksesin terroristëve”.
Masat e përmendura nga zyrtari i lartë i administratës amerikane u diktojnë linjave ajrore përmirësimin e kontrollit të pasagjerëve, pikasjen e lëndëve plasëse dhe verifikimin e vet personelit të aeroportit, në përpjekje për të shmangur mundësinë e një sulmi me bashkëpunëtorë të brendshëm.
Ndryshimet do të aplikohen mbi gati 2.100 fluturime të përditshme në Shtetet e Bashkuara nga 280 aeroporte, 180 kompani ajrore e 105 vende të botës. Nga sa pohojnë zyrtarët amerikanë e ata të BE-së, masat në fjalë do të hyjnë në fuqi brenda 3 javëve.
Top Channel