Ana Brnabiç është gruaja e parë në krye të qeverisë së Serbisë. Por, edhe politikanja e parë në Serbi e deklaruar si lesbike.

Pas dy ditësh ka arritur të bindë deputetët t’i japin besimin me 157 vota pro dhe 55 kundër.

Si propozim i presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilin do ta zëvendësojë në krye të qeverisë, Brnabiç është shprehur se do t’i sjellë shtetit të saj një imazh të ri.

Betimin e ka dhënë bashkë me kabinetin e saj, në të cilin nuk ka shumë ndryshime, përveç shtimit të ministrave nga socialistët, e shefit të diplomacisë Ivica Daçiç.

“U premtoj të gjithë qytetarëve se do të angazhohemi çdo ditë për të zgjedhur problemet e tyre dhe do të angazhohemi për të punuar. I falënderoj të gjithë, e sidomos presidentin Vuçiç, që ma ka ofruar këtë mundësi”, tha Ana Brnabiç, kryeministrja e re e Serbisë.

Zgjedhja e Brnabiç e ka kthyer Serbinë në qendër të vëmendjes në tërë botën, pasi ajo është një nga të rallat në këtë pozitë nga komuniteti LGBT.

Top Channel